Identifikohet kufoma në Dajt, mashtronte me shitjen e banesave

Pas një ekspertize të gjatë dhe disaorëshe, policia arriti të identifikonte kufomën e gjetur në Malin e Dajtit dhe dyshon se ai quhet Vasil Biba.
36-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga policia dhe trupi i dekompozuar dyshohet se ka qenë i groposur prej 6 muajsh. Kufoma u gjet nga qeni i një bariu i cili nodhej pikërisht në atë zonë.
Personi rezultonte i zhdukur dy muaj më parë pasi kishte mashtruar shumë persona. Emri i tij figuronte në kërkim për akuzën e mashtrimit financiar.
Në hetime rezultonte se i ekzekutuari pak muaj më parë i kishte shitur të njëjtët apartamente më shumë se një personi. Kjo do ta vështirësojë ndjeshëm hetimin policor për gjetjen e vrasësve.
Kjo jo vetëm për provat e pakta të gjetura në vendin e ngjarjes, por edhe për numrin e lartë të denoncimeve ndaj këtij personi, për shitje të pak apartamenteve tek shumë persona.
Kufoma u torturua dhe u ekzekutua me dy plumba
Një bari që po kulloste bagëtinë në rrugën e fshatit Priskë, afër malit të Dajtit, në Tiranë, me të parë që qeni nuhaste dhe lehte te një vend ku dheu ishte i hedhur, vendosi të gërmonte aty. Trupi gjysmë i dekompozuar nuk ishte varrosur shumë thellë dhe sapo bariu nisi gërmimin, hasi në trupin e tij.
Më tepër dekompozim kishte marrë pjesa e kokës, ndërsa ishte vetëm me mbathje dhe asnjë rrobë tjetër në trup. Kufoma e seksit mashkull nga 35 deri në 40 vjeç kishte një gjatësi prej 1 metër e 80 centimetra.
Përpos tij, në varrin e sajuar, nuk ndodhej asnjë send tjetër. I alarmuar nga ajo çka gjeti bariu njoftoi 129-n dhe lajmërimi i Sallës Operative mundësoi dërgimin e ekspertëve të Komisariatit Nr. 4 dhe Mjekësisë Ligjore, drejt vendit të ngjarjes. Kufoma u transportua menjëherë drejt morgut të kryeqytetit, ku nisi ekspertiza paraprake. Specialistët kanë përcaktuar paraprakisht se vdekja ka ardhur nga goditjet me plumba dhe kur është torturuar ishte ende gjallë.
Ç’ka dallonte në trupin e pajetë ishte një shenjë e madhe në pjesën e pasme të kokës, për të cilën burimet nga Mjekësia Ligjore i thanë gazetës “Shqip” se është shkaktuar nga goditje me sende të forta. Nga një analizim paraprak, bazuar mbi këqyrjen e kufomës, dyshohet se viktima është goditur me grushte, shkelma apo sende të forta gjatë transportit për në Dajt.
Më tej, burimet citojnë se plagët në kokë janë shkaktuar para vrasjes, teksa vdekja i ka ardhur nga dy plumbat fatalë, një në kokë e një në zemër. Për të mbuluar çdo gjurmë, autorët e kanë groposur kufomën rreth 50 metra larg rrugës së fshatit Priskë dhe po të mos ishte për qenin e bariut, ai ende nuk do të ishte gjetur.
Identifikohet kufoma në Dajt, mashtronte me shitjen e banesave Identifikohet kufoma në Dajt, mashtronte me shitjen e banesave Reviewed by Tipi on 1:30 PM Rating: 5

No comments: