Nazime Visha mori 10 Vite burg;Fiqiriun nuk e vrava se me perdhunoi por....

“E pranoj vrasjen. Kam marrë një jetë njeriu, dhe për këtë po përballem me gjykatën. Por, s’e kam vrarë me paramendim. Që në moshë 14-vjeçare jam dhunuar. Kam qenë vetëm një fëmijë në atë kohë dhe uroj që askush të mos përjetojë atë që kam hequr unë”. Disa minuta para se gjykata ta dënonte, Nazime Visha, bëri këtë deklaratë, duke kërkuar mëshirë, e cila iu refuzua nga kreu i trupit gjykues, i cili tha se kjo fjalë, pra “mëshira”, është shumë e përdorur dhe e vjetër. Megjithatë, vajza 19-vjeçare, me një zë të dridhur, menjëherë pasi mbrojtja kërkoi pafajësi për vrasjen dhe dënimin vetëm për armëmbajtje pa leje, tha se dëshiron që të rifillojë jetën nga e para, si bashkëmoshataret e saj. Por, gjykata vendosi që ta dënojë me 15 vite burg, dënim i cili shkon në 10 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Mbrojtja e adoleshentes
prokurori blerim tominaj
Në seancën e djeshme gjyqësore, avokatja Vjollca Pustina tha se vrasja nuk ka qenë me paramendim, por thjesht si vetëmbrojtje, pasi Nazimja e ka qëlluar në gjaknxehtësi e sipër. “Vajza ka qenë e mitur, madje fëmijë në kohën që abuzohej nga Fiqiri Muça. Ndoshta ka pasur moshën e fëmijëve të tij. Por, kjo nuk e ka penguar viktimën që të dhunojë seksualisht, t’i bëjë premtime për një jetë të mirë dhe duke qenë e mitur, vajza ka pranuar. Është gënjyer dhe mashtruar nga Fiqiriu, i cili e sillte në Tiranë, apo i blinte edhe sende të shtrenjta, që për një vajzë nga fshati, e padalë, ishte gjithçka”, tha avokatja, duke shtuar se vërtet Nazimja ka vrarë Fiqiriun, por gjithçka ka qenë e çastit. Në fund të konkluzioneve, avokatja tha se kërkon pafajësi për akuzën e vrasjes me paramendim. “Nazime Visha të shpallet fajtore vetëm për armëmbajtje pa leje dhe të dënohet me dy vite burg”, pohoi Pustina. Më pas, fjalën e mori gjyqtari Gerd Hoxha, i cili i kërkoi mendim prokurorit Blerim Tominaj. Ky i fundit tha se nuk është dakord me kërkesën e mbrojtjes, pasi nga provat në fashikull, vrasja është me paramendim. Më pas, iu drejtua sërish Nazimes, duke i kërkuar nëse ka ndonjë gjë për të shtuar.

Rrëfimi i Nazimes
E ndrojtur nga prania e shumë mediave në sallën e Gjykatës së Tiranës, por edhe në prani të familjarëve dhe shoqërisë së saj, Nazime Visha filloi të lexojë një letër, që e kishte shkruar në qeli. Me një zë që i dridhej gjatë gjithë kohës, ajo i kërkoi trupit gjykues mëshirë, pasi tha se “ata duhet ta mendojnë sikur të ishte fëmija i tyre”. Pranoi pa asnjë hezitim vrasjen e Fiqiri Muçës, ngjarje për të cilën tha se është penduar. Megjithatë, tha se kishte një motiv të fortë: u abuzua që në moshën 14-vjeçare. Më pas, vijoi leximin e letrës dhe iu drejtua gjykatës që të vërë dorën në zemër dhe ta lejonin të bënte një jetë si bashkëmoshatarët, kërkesë e cila iu mohua.

10 vite burg
Pas shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues u tërhoq për vendim. Konsultimet pesëminutëshe e bindën trupin gjykues se ngjarja e datës 13 gusht 2012, ku u vra me armë zjarri Fiqiri Muça, është vrasje me paramendim. “Pas konsultimeve, vendosëm që e pandehura Nazime Visha të shpallet fajtor për akuzën e vrasjes me paramendim dhe të dënohet me 15 vite burg. Gjithashtu, e pandehura të shpallet fajtor për armëmbajtje pa leje dhe të dënohet me dy vite burg. Duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, e pandehura Nazime Visha të dënohet përfundimisht me 10 vite burg”, tha gjyqtari Gerd Hoxha, ndërsa pohoi se palët kanë 10 ditë kohë që të vendosin për apelimin. Ai tha se brenda tri ditëve vendimi do të zbardhet dhe do t’u serviret palëve.

Pretenca e prokurorisë
Një seancë më parë, prokurori Blerim Tominaj kërkoi dënimin e Nazimes me 17 vite burg. Rezulton e vërtetuar se Nazime Visha e ka konsumuar veprën penale për të cilën akuzohet. Por, duke pasur parasysh rrethanat e ngjarjes dhe kushtet e saj sociale, prokurori tha se Visha “është autore krimi, por jo një kriminele”. Sipas akuzës, viktima Fiqiri Muça i cili banonte në Manëz të Durrësit, u bë “mik” i familjes Visha, për shkak se transportonte lëndë drusore në pyjet e Burrelit, ku kryefamiljari Beqir Visha ishte druvar. Gjatë kohës që ai kalonte me familjen Visha, është njohur edhe me pjesëtarë të tjerë, si gruan dhe dy vajzat e tij, që kishte ende në shtëpi, të quajtura Nazime dhe më e madhja, Lutfije. Kjo e fundit i ka pëlqyer viktimës dhe ka kërkuar dorën e saj për vëllain e tij Vladimir. Para rreth katër vite, pra rreth vitit 2008, kur është bërë lidhja e krushqisë, në njërën nga ditët e qëndrimit të viktimës në banesën e Beqir Vishës, ai ka gjetur të vetme vajzën e vogël, Nazime, në atë kohë rreth 14 vjeçe. I ka kërkuar të kryejnë marrëdhënie seksuale dhe, me gjithë kundërshtimin e kësaj të fundit, siç pretendon ajo vetë, ai ka realizuar qëllimin e tij, gjë të cilën ka vazhduar ta bëjë thuajse në të gjitha rastet kur ishte mysafir dhe “rastësisht” babai i saj nuk ndodhej aty. Në fund të vitit 2011 e pak pas Vitit të Ri 2012, së pandehurës i është paraqitur një rast për fejesë, gjë e cila është pranuar prej saj dhe familjes. Pak ditë pas ligjërimit të njohjes së tyre, ai i ka dërguar kësaj të fundit dhe paratë e pasaportës dhe dokumenteve të tjera të nevojshme të udhëtimit për në Itali. Por, kjo ishte përjetuar keq nga viktima. Ai e kishte kërcënuar por edhe ka komunikuar në një rast me vetë të fejuarin.

Mesazhet
Më datë 05.01.2012, për një interval kohor të shkurtër ajo i ka dërguar viktimës 6 mesazhe duke thënë në të gjitha mesazhet thuajse të njëjtin premtim: “Nuk kam për të pranu zemër gjafsha ty po mos me lere rrugvet mua dhe danjeloi… me koken toned do vdes ame beso zemer”. Nazimja ka vazhduar të mbajë kontakt në telefon me të fejuarin dhe njëkohësisht nuk i ka ndërprerë as me viktimën, të cilat kanë vazhduar si nëpërmjet telefonatave, ashtu edhe kontakte fizike. Në periudhën e pranverës dhe më tej, familjet tashmë të lidhura me krushqi kanë kryer ceremonitë e rastit për ndërrimin e shenjave në Vaqarr, ku e pandehura ka ndenjur rreth dy-tri ditë. Më datë 23.05.2012, datë në të cilën e ëma e të fejuarit kishte shkuar në Vilëz për të kthyer vizitën, ndërkohë që, ndonëse në pasditen e kësaj date krushqia ishte ende në shtëpi, ajo është larguar së bashku me viktimën, i cili është marrë vesh pas pak, çka ka bërë dhe prishjen zyrtare të fejesës së saj.

Vrasja
Pas marrëdhënies së paqëndrueshme mes tyre, më datë 13 gusht të vitit të kaluar, Fiqiri Muça me mjetin e shtetasit Myrvet Bardhi është nisur nga qyteti i Durrësit pranë banesës së gjyshes së Nazime Vishës, në Krrabë të Tiranës. Në këtë datë, shërbimet e policisë u njoftuan se në fshatin Krrabë të Qarkut Tiranë ishte vrarë me armë zjarri shtetasi Fiqiri Muça. Krimi ka ndodhur në orën 2:30, në lagjen e xhamisë së fshatit. Pranë bahçes së banesës së Dalip Vishës, si dhe në rrugën rrotull saj, pranë një bandiere betoni janë gjetur dy gëzhoja fishekësh. Në një përrua me terren të pjerrët dhe të shkelur është konstatuar kufoma e një mashkulli, ku në pjesën e fytyrës kishte një plagë të madhe. Më pas është ndaluar shtetasja Nazime Visha dhe referuar deklarimeve të saj, rezulton se ishte ajo autorja e vrasjes së Fiqiri Muçës dhe se gjatë një periudhe 4-vjeçare kishte kryer me të marrëdhënie seksuale kundër dëshirës, duke përfituar nga marrëdhëniet e afërta familjare që prindërit e saj kishin pasur me viktimën Fiqiri Muça.
Nazime Visha mori 10 Vite burg;Fiqiriun nuk e vrava se me perdhunoi por.... Nazime Visha mori 10 Vite burg;Fiqiriun nuk e vrava se me perdhunoi por.... Reviewed by Tipi on 12:41 AM Rating: 5

No comments: