“Dita e shqiptarëve” dhe simbolika e saj

Tre policë me jelekë antiplumb me flamurin e Kosovës në krah flasin lirshëm në qoshen jashtë oborrit të Qeverisë në sheshin “Gjergj Kastrioti - Skënderbeu”.
Në rrethojat pranë janë varur shkronjat e kuqe “PËR REPUBLIKËN”, një shenjë demonstrimi prej partive opozitare ndaj marrëveshjeve të Qeverisë me Serbinë për Asociacionin e Komunave Serbe apo “Zajdenicën”, siç i referohet opozita, dhe asaj për demarkacionin me Malin e Zi.
Përballë policëve valon flamuri kombëtar shqiptar sipër tendës së bardhë të ish-punëtorëve protestues të Fabrikës së tubave të Ferizajt. Jo fort larg tij valon flamuri i Kosovës pranë shtatores së presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova.
28 Nëntori i ndarjes?
Në sheshin “Nëna Terezë”, që zgjatet prej atij “Skënderbeu”, Sahiti shet flamuj kombëtarë. Nuk dëshiron të flasë me mbiemër meqë ka vendosur ilegalisht stendën në prag të festës së 28 Nëntorit.
“Është festë e gjithë shqiptarëve dhe ta merr mendja se shkojnë flakë flamurat kombëtarë. Po shkon edhe ky tjetri”, thekson Sahiti, duke iu referuar banerit të zi me hartën e kuqe të trojeve shqiptare dhe me figurat e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit. Poshtë shkruan “AUTHOCTONOUS”. Baneri-flamur mori famë pasi valoi më 14 tetor 2014 në stadiumin e ish-Armatës Popullore Jugosllave në ndeshjen e ndërprerë ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd.
28 Nëntori i sivjetmë e ka ndarë pozitën dhe opozitën në Kosovë. Manifestimi paqësor, siç e quan protestën opozita, mbahet të shtunën në sheshin tjetër të Prishtinës, me emrin e dëshmorit Zahir Pajaziti.
Historiani Besim Qeriqi thotë se 28 Nëntori është ndër datat më unifikuese për mbarë kombin shqiptar.
“Përmbajtja e kësaj date tregon përpjekjet, sakrificën, luftërat shekullore për mbrojtjen e atdheut të tyre, për të qenë të lirë e të pavarur karshi popujve të tjerë në Ballkan e Evropë”, vlerëson Qeriqi, mësimdhënës i historisë.
Duke folur për rëndësinë e 28 Nëntorit të vitit 1912 dhe 28 Nëntorin e vitit 1997, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli për herë të parë publikisht, Qeriqi thotë se simbolika e tyre shënon kthesën e madhe historike duke u dhënë fund sundimeve shekullore të pushtuesve osmanë e serbë.
“28 Nëntori i Parë hapi një etapë të re në historinë e Shqipërisë. Akti i Shpalljes së Pavarësisë, megjithëse e cunguar territorialisht, prapëseprapë ishte një fitore e madhe jo vetëm karshi pushtimit të gjatë osman, por kundër politikës antishqiptare të popujve ballkanikë që për qëllim kishin copëtimin e Shqipërisë e tokave shqiptare”, vlerëson Qeriqi.
Në dy Nëntorët ishte dhënë betimi për çlirimin e trojeve shqiptare dhe bashkimin e tyre nën një shtet me një flamur. Qeriqi thekson se shqiptarët që kishin mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë së sotme asnjëherë nuk u ndanë emocionalisht nga shteti shqiptar. Madje mendon se kjo frymë kishte mbajtur gjallë premisat për çlirimin e trojeve që kishin mbetur nën pushtimin e shteteve fqinje.
Emrat e shqiptarisë
Babai dhe xhaxhai e kishin ndarë mendjen për emrin e djalit që do t’i shtohej familjes Oseku në Gjakovë. Nëntor do ta pagëzonin të birin dhe nipin që erdhi në këtë botë më 9 nëntor, tregon Nëntor Oseku, jurist e fotograf i shpërblyer për fotografinë e peizazheve shqiptare në Shqipëri.
“Arsyeja ka qenë festa e 28 Nëntorit. Në atë kohë axha ka qenë i përndjekur nga UDB-ja dhe krejt familja Oseku kemi emra që lidhen me Shqipëri, festa kombëtare apo me vende të trojeve shqiptare”, ka treguar Oseku, që po qëndron përkohësisht me punë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Kushëriri i Nëntorit, Shqiptar Oseku, opinionist që jeton në Suedi, ka rrëfyer në muajin prill për gazetën shqiptare “Dita” historikun e emrave të Osekëve.
“Kjo tashti do të japë shkas për ekzotizim të kosovarëve, por hajde t’i numërojmë. Pas meje lindi motra, Dragobia, pastaj vëllai i vogël Frashëri; dua të shtoj se ai vetëm në moshë është i vogël, pasi është një kokë më i gjatë. Por ky detaj s’është me rëndësi, por dua ta theksoj për hir timin se s’dua të më gërgasë as ai, as tjerët në Gjakovë”, ka deklaruar Shqiptar Oseku, duke thënë se emrat me motive kombëtare do të “infektonin” edhe familjet e tjera të fisit.
“Dale të shohim, t’i përmend me radhë, Devolli, që shërben si polic në Prishtinë, Martaneshi, që është shitës medikamentesh, Luarasi, që punon me OSBE-në, Nëntori, jurist e fotograf i shpërblyer i natyrës shqiptare, një si institucion privat mbarëkombëtar i turizmit shqiptar, Berati, Rubiku, Përmeti, Janina… bëhet fjalë për një traditë familjare që ka vërshuar brigjet e tre brezave, në Kosovë e në Suedi”, tregon Oseku, që do të largohej nga tradita, pasi të bijat i pagëzoi me Orezanë, Perri dhe Aria.
Qeriqi ngulmon se gjatë gjithë shekullit njëzet lidhja me aktin e Shpalljes së Pavarësisë ishte e jashtëzakonshme, shpeshherë edhe sakrifikuese në mesin e shqiptarëve. “Në këtë kontekst për çdo shqiptar kudo që gjendet (sidomos atyre jashtë shtetit shqiptar) 28 Nëntori përbën në vete një manifest identitar, i cili në vete përmban refuzimin dhe dëshirën për mëvetësi në rastin e Kosovës”, thekson Qeriqi, që ka kryer një punim të gjatë për historinë e re të Kosovës, duke analizuar përmbajtjen e librave e ditarëve të burrështetasve perëndimorë kur flasin për menaxhimin e luftërave në vitet nëntëdhjetë në Ballkan.
Historia në bodrum
“Kjo më së miri u dëshmua në vitin 1997 me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - UÇK, e cila arriti ta faktorizojë çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, e cila më 17 Shkurt do të rezultojë me krijimin e shtetit të Kosovës”, thekson Qeriqi, mësimdhënës i historisë në shkollën fillore “Pesë dëshmorët e kombit” në fshatin Pleshinë të Ferizajt.
Armë, uniforma e pajisje të ndryshme luftarake të ushtarëve të UÇK-së ende enden nëpër bodrum dhe hapësira të lëna pas dore të Muzeut të Kosovës. Muzeu i ka pasur të enjten dyert hapur, por jo edhe për vizitorë. “Nuk lejohet hyrja e askujt se jemi tu e renovu. Veç mundesh me folë me drejtorin në telefon”, ka thënë njëri nga dy nëpunësit e këtij institucioni. Muzeun nuk do të mund ta vizitojnë vizitorët as në “Ditën e shqiptarëve”, siç njihet me ligj 28 Nëntori. Vitin e kaluar, për nder të Ditës së Flamurit, ekspozita me eksponatet e familjes Jashari kishte qenë njëra nga ngjarjet kryesore që organizoi Muzeu. Titullohej “Qëndresa historike e Jasharëve për liri, rast unik në historinë botërore”.
Institucionet e Kosovës nuk e kanë përfunduar as gjashtëmbëdhjetë vjet pas luftës restaurimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Likoc të Skënderajt. Fotografitë e heronjve kanë mbetur në dysheme mbështetur për mur në objektin ku ishte bërthama udhëheqëse e UÇK-së. Në rrafshinën para tij në qendër të fshatit dikur marshonin e këndonin pjesëtarët e njësiteve speciale.
“Edhe sot rrëqethem kur e kujtoj qysh marshonin”, thekson Rizah Kadriu, 32 vjeç, në rrugën që mban emrin “Shtabi i UÇK-së”, teksa përshëndetet me një bashkëfshatar që ka nxjerrë kokën nga makina e bisedon me dy policë të trafikut. “Por ka qenë interesant se sa herë kanë ardhur te kuzhina me ngrënë drekën ose darkën, kanë ardhur në rresht dhe i kanë kënduar ato këngët, a din...”, thotë Kadriu i zënë ngushtë kur i kërkohet të tregojë përmbajtjen e teksteve që këndoheshin. Pas pak mësimdhënësi i filloristëve në fshatin fqinj, Ticë, ia thotë shkurtimisht njërës prej tyre: “Nëpër borë e nëpër shi, na luftojmë deri n’liri”.
Stacioni policor serb ishte shndërruar në objekt të komandës së lëvizjes kryengritëse shqiptare. Likoci njihej si zonë e lirë, thonë banorët e intervistuar. Istikamet e dikurshme me dërrasa në oborrin e Shtabit janë betonuar pas luftës me qëllim që të ruhen. Rizahu dhe Fehmi Kadriu, ish-ushtar i UÇK-së, përgjegjës për objektin dhe varrezat e dëshmorëve të fshatit, tregojnë ambientin e brendshëm.
Shtabi i UÇK-së “s’ka çare pa u ba muze”
”Ka fotografi edhe të atyre që janë gjallë. Qe kryetari i Klinës, Sokol Bashota, me gazetarin e ndjerë Tahir Desku, tanket në Likoc. Ka edhe doktorë që kanë punu shumë në luftë. Është edhe Adem Demaçi, kryetari Kadri Veseli, Hashim Thaçi”, thekson Fehmi Kadriu, duke shprehur mirënjohje për gjeneralmajorin e ndjerë Shaban Shala, që i kishte dhuruar shumë fotografi. “Shaban Shala ka sjellë shumë sene që me i ruajt e me u ba muze”, thekson ai.
Hap derën e zyrës së komandantit të Shtabit të UÇK-së, Sylejman Selimi, tani në proces gjyqësor si i dyshuar për krime lufte. Hap pak dyert e sallës së mbledhjeve, kuzhinës dhe qelisë së objektit.
“Mirë që disa mjete kanë shkuar në muze, po këtu ka qenë vendi ku komandant Abeja (Bekim Berisha,v.j.) ka prodhuar mina dhe bomba të hatashme. Do sene i kanë çu atje, po ju e dini se në Prishtinë nuk ka pas luftë”, thekson veterani i luftës, Kadriu, që prej vjeshtës së vitit 2008 ka marrë vetëm tri paga prej Komunës së Skënderajt për mirëmbajtjen e varrezave të 13 dëshmorëve dhe të objektit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Historiani Qeriqi thotë se pavarësisht faktorëve të jashtëm që nuk lejuan bashkimin e shqiptarëve në një shtet për të cilin u betuan luftëtarët dhe veprimtarët shqiptarë, 28 Nëntori i Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe daljes publike të UÇK-së është data më unifikuese që mbetet ndër ngjarjet më të ndritura të popullit shqiptar.
“Kujton sakrificën e gjithë atyre burrave e grave që dhanë gjithçka që kishin për lirinë e pavarësinë e shtetit të Shqipërisë e Kosovës”, thekson Qeriqi.
“Në këtë kontekst vepra e tyre për historinë mbarëkombëtare përbën një vlerë, e cila duhet të ruhet e kultivohet si shenjë respekti për të kaluarën e tyre, për të tashmen tonë dhe për të ardhmen e brezave që do të vijnë”.
Kadriu është optimist se do të restaurohet objekti që u kishte bërë konak edhe diplomatëve perëndimorë, si Richard Holbrooke, Wolfgang Ischinger e William Walker. “Nuk ka shumë dokumente e letra, por kanë me ardhë se pa u ba ky nifar muzeu nuk ka çare”. 
“Dita e shqiptarëve” dhe simbolika e saj “Dita e shqiptarëve” dhe simbolika e saj Reviewed by Tipi on 2:28 AM Rating: 5

No comments: