Sërish provokon gazetari Eftov: Shqiptarët nuk janë as 20 përqind

Vetëm brenda një jave vjen edhe provokimi i dytë i gazetarit maqedonas Vasko Eftov ndaj shqiptarëve në emisionin e tij “Në Qendër” në Kanal 5, transmeton Telegrafi.
Ishte hera e parë kur deshi të manipulojë me opinionin duke plasuar informacione spekuluese se kinse kosovarëve në mënyrë automatike për një periudhë të shkurtë kohore u janë shpërndarë mbi 150 mijë nënshtetësi maqedonase.
Në këtë formë Eftov shprehu qëllimin tendencioz që të japë një pasqyrë të rrejshme për shqiptarët e Maqedonisë, duke i llogaritur ata si ardhacak. Ndërkohë në emisionin e tij të fundit Eftov prezanton teorinë e VMRO-DPMNE-së dhe kryeministrit, Nikolla Gruevski se në Maqedoni popullata shqiptare është nën 20 përqind. Me këtë sipas tij shqiptarëve iu ndalohet përdorimi i gjuhës shqipe dhe flamurit kombëtar dhe Marrëveshja e Ohrit shpallet e vdekur.
Eftov del me teori shokante se shqiptarët artficialisht i kanë asimiluar turqit, torbeshët dhe romët që në realitet del e kundërta se në Maqedoni një pjesë e madhe e shqiptarëve deklarohen se janë turq që në fakt janë me shekuj shqiptar.
Në Maqedoni kryeministri, Nikolla Gruevski para disa vitesh ndërpreu regjistrimin e popullatës, ndërsa iniciativa e fundit e gazetarit maqedonas është një provokim i madh dhe ide që dëshiron të plason VMRO-ja përmes gazetarëve të vet.
“Pa shqiptarizimin e turqëve, torbshëve, shqiptarët janë më pak se 20 përqind në Maqedoni”, tha Eftov.
Reagime
Lidhur me këto teza skajshëm tendencioze dhe të rrezikshme të gazetarit Eftov, në portalin tesheshi.com ka reaguar analisti politik, Xhelal Neziri, i cili gazetarin maqedonas e quan kontravers dhe jo aq kredibil, ndërkaq tezat e tij më shumë teori konspirative sesa diçka e vërtetë.
“Ai këtë e bën për arsye të shikueshmërisë dhe për të zbatuar agjenda të njohura partiake. Kohëve të fundit vërehet një përafrim të tij me kursin politik të pushtetit, gjë që paraqet një kthesë në qasjen që kishte ndaj dukurive që trajtonte vite me radhë. Hapja e këtyre debateve është një paralojë e partive në pushtet, të cilat sërish do ta luajnë rolin e patriotit për të mobilizuar votuesit e tyre. Sa për numrin e popullsisë askush nuk mund me saktësi të flasë përderisa nuk kemi një regjistrim kredibil të popullsisë. Është fakt se një numër i madh i të rinjve kanë lëshuar vendin. Nga regjistrimi i fundit në vitin 2002 besohet se afër gjysmë milionë shtetas të Maqedonisë e kanë lëshuar vendin dhe kanë ikur jashtë. Kanë ikur si shqiptarë ashtu edhe maqedonas, apo edhe persona nga etni tjera. Mirëpo nëse futemi në spekulime do të biem në kurthet e eftovëve. Askush nuk duhet të frikësohet nga rezultatet e regjistrimit, i cili besoj se vitin e ardhshëm do të zbatohet, deklaroi Xhelal Neziri.
Nga ana tjetër gazetari Afrim Tanallari është i mendimit që në këtë kaos politik ku ndodhet Maqedonia, gazetari konspirativ mundohet të hapë dhe të imponojë një temë senzitive, që tangon raportet mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
“Përqindja në Maqedoni është e rëndësishme, pasi që në bazë të për qindjes në Maqedoni bëhet Kushtetuta dhe ligjet, që avancojnë kauzën shqiptare. Ajo që dua të them, si kundërpërgjigje është se: sa është numri i maqedonasve, dhe i komuniteteve tjera. Pse dështoi regjistrimi i Popullsisë dhe amvisërive, si dhe kush ishte shkaktar që të ndërpritet regjistrimi? Enti Statistikor, në raportet e saja, pohon se maqedonasit kanë rënie të nataliteti edhe atë shumë, a tek ne është e kundërta. Si kundërpërgjigje të saj, qeveria po bënë përpjekjet e saja, në motivimin e çifteve të reja që të lindin më shumë. Fillimisht ata deshën që të motivojnë komunat me natalitet më të ulët e që ishin të gjitha vendbanimet maqedonase, kjo është një tregues se pse ata hapin këto tema”, shprehet për tesheshi.com Afrim Tanallari.
Madje, duke iu referuar të dhënave zyrtare, sipas Tanallarit numri i nxënësve shqiptarë në Maqedoni është 35 përqind, dhe si është e mundur që popullsia të jetë 21 përqind në bazë të regjistrimit të vitit 2002.
“Një tregues tjetër për manipulim me strukturën popullsisë në vende është edhe skandali i fundit me falsifikimin e letërnjoftimeve, ku përmenden se nga MPB-ja janë shpërndarë reth 30 mijë letërnjoftime. Harta demografike e strukturës së popullsisë, për shkurtë kohë do të ndryshojë, këtë më së mirë e dinë Akademia e Shkencave të Maqedonisë. Tentimet e politikave artificiale të maqedonasve, po dështojnë kundrejt procesit natyrorë të strukturës së popullsisë. Tani më edhe hapur politikanët maqedonas, si Lupço Georgivski, thonë se Maqedonia për dhjetë vitet e ardhshme do të qeveriset nga shqiptarët dhe do të jetë shteti i tretë shqiptarë në Ballkanin Perëndimorë”, përfundoi me kundërargumentet e tija ndaj teorisë së Eftovit, gazetari Tanallari.
Sërish provokon gazetari Eftov: Shqiptarët nuk janë as 20 përqind Sërish provokon gazetari Eftov: Shqiptarët nuk janë as 20 përqind Reviewed by Tipi on 12:24 PM Rating: 5

No comments: