Amaneti i nënës së përvuajtur: Kur të vdes, djali të mos ketë më borxhe

“Nëse luksi na rrethon, ne humbasim shpirtin”, kështu e përkufizonte varfërinë humanistja e madhe Nënë Tereza. Për të njohur varfërinë, duhet shkuar 14 kilometra në perëndim të Tiranës, në komunën Bërxullë, e të dëgjosh historinë e familjes Dervishi. Nga gjashtë anëtarë të familjes, katër prej tyre kanë nevojë për shërbim...
Shtëpia është e rrethuar me një gardh kallamishtesh. Përpara del Kimetja, një e moshuar e vuajtur. Në cep të murit është një karrige me rrota ku qëndron i palëvizur bashkëshorti i saj, Rexhepi.
Shtëpia e Rexhep dhe Kimete Dervishit fut ujë nga të katër anët, ndërsa jashtë duken edhe disa tapetë që krahas rrobave janë vënë për t’u tharë. Nusja e Kimetes na shërbeu disa karamele, të cilat kurrsesi nuk mundnin ta ëmbëlsonin pamjen përqark.
Bisedën e hapi Rexhepi 72-vjeçar. “Nuk është i kthjellët, është i paralizuar dhe nuk ka më vetëdije as për nevojat e tij. Kur mundem i qëndroj unë te koka, ndërsa nusja na qëndron të dyve”, thotë 63-vjeçarja. “Edhe vetë jam invalide e grupit të parë. Kam 10 vjet që kam tri proteza në trup. Të ardhurat nuk na mjaftojnë. Jetojmë me borxhe pas borxhesh, me ndihma nga komshinjtë. Pensioni e asistenca s’na dalin as për ilaçet. Djali ka familjen e tij, ai punon, por nuk del për gjë. Fëmijët vuajnë më shumë se ne që ditët na mbaruan. Lagështia e shtëpisë i ka sëmurë edhe më shumë merakosemi për ta”.
Djali i punon në Marikaj, rreth 15 kilometra larg shtëpisë.
“Nëna s’është më as në qiell dhe as në tokë. Amanet kam vetëm që kur të vdes djali të mos më ketë asnjë borxh”, thotë Kimetja.
Nga katër dhomat në shtëpi, vetëm dy ishin të jetueshme. Edhe në to dukej qartë njolla e gëlqeres së hedhur herë pas here, në mënyrë që të mbulohej lagështia e ujit të çatisë. Dhoma e gjumit ishte në gjendje më të rëndë. Një njollë e madhe lagështie qëndronte në anë të dy krevateve të vegjël të fëmijëve, të cilët sikurse tha e ëma, vuajnë nga reumatizma. Ndërkohë, disa cepave të mureve lagështia e madhe u kishte krijuar plasaritje të dukshme. Muri është rrezik të bjerë dhe këta t’i zërë brenda!
Nga gjashtë persona që jetojnë këtu, një punon, ndërsa katër të tjerë kanë nevojë për shërim. Pensioni e asistenca nuk dalin as për drita dhe ujë, e imagjino pastaj ushqimet, ilaçet dhe gjërat që ka shtëpia.
Kimetja tregon se nuk kanë mundur t’i nxjerrin Rexhepit dokumentet e aftësisë së kufizuar.
“Ai është me gjithë mend invalid dhe nuk merr asnjë lekë, ndërkohë invaliditetin e marrin disa që i kanë shëndoshë këmbët dhe duart edhe sillen vërdallë kot nëpër rrugë. Nga ana tjetër nuses që i qëndron te koka, i takon një pagesë për shërbimin, si shoqëruese ndaj një personi me aftësi të kufizuar. Por, pagesa nuk i bëhet sepse nuk i kanë dalë dokumentet”.
Në dhomën e gjumit shihet foto e një fëmije. Është nipi i Kimetes, i cili prej rreth dy vjetësh jeton vetëm si kujtim.
“Nuk e di si ndodhi, por duke luajtur doli në rrugën e makinave dhe aty... eh... fatzi është fukarai... Atë personin s’kemi mundur, as fuqi me dal te dera s’po kemi, edhe lëre më ngatërresat që s’po i duam”, shprehet mes lotësh 63-vjeçarja. 
Amaneti i nënës së përvuajtur: Kur të vdes, djali të mos ketë më borxhe Amaneti i nënës së përvuajtur: Kur të vdes, djali të mos ketë më borxhe Reviewed by Tipi on 11:01 AM Rating: 5

No comments: