Universitet shqip, nuk e lejon Ligji

Studime të plota në gjuhën shqipe, pra universitet shqip në kuptimin e plotë të fjalës, nuk ka pasuar, nuk ka dhe nuk mund të ketë momentalisht, pasi këtë e ndalon Ligji i Maqedonisë! Kur janë në pyetje të drejtat e shqiptarëve - shteti çdo herë, por edhe tani i vendosë disa vija të kuqe përtej të cilave nuk ka mundur të kalojë as UEJL-ja në vitin 2000, as USHT-ja në vitin 2004 dhe as UNT-ja në vitin 2015. Në çdo program studimor maqedonishtja duhet të përdoret në të paktën tre lëndë, qofshin këta universitete publike apo private
Pavarësish avancimit nëpër të cilin është zhvilluar e drejta për shkollim në gjuhën shqipe në Maqedoni, shqiptarët asnjëherë deri tani, madje as tani me Ligjin për themelimin e Universitetit "Nënë Tereza" në Shkup, nuk e gëzojnë të drejtën e plotë për shkollim në gjuhën amtare. Shqiptarët mund të themelojnë institucione të arsimit të lartë, qofshin ato publike apo private dhe të përdorin gjuhën shqipe, mirëpo jo edhe për të gjitha lëndët, sepse një gjë e tillë është e ndaluar me Ligj. Pra, as në vitin 2000 kur u themelua Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë (UEJL), as në vitin 2004 kur u nxor Ligj për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe as një javë më parë kur Parlamenti miratoi Ligjin për themelimin e Universitetit "Nënë Tereza" në Shkup, e drejta e plotë e shqiptarëve për të pasur universitete në gjuhën e tyre nuk është realizuar asnjëherë plotësisht, njofton Koha.mk.
Patriotizëm me bateri 
Ministri i tanishëm i Arsimit, Abdilaqim Ademi, thotë se nuk e ka ditur që Ligji i arsimit të lartë në Maqedoni e detyron çdo universitet të shqiptarëve që ti organizojnë në gjuhën maqedonase minimumi tre lëndë. Ademi, natyrisht se kishte mundur ta korrigjojë këtë vitin e kaluar kur Ligji pësoi ndryshime rrënjësore, ashtu sikurse kishte mundur të miratojë amendamente përkatëse të opozitës, ose të dëgjohet një reagim i zëshëm gjithë këtë kohë nga intelektualë, shoqëria civile apo edhe nga vetë universitetet - USHT dhe UEJL. Mirëpo, askush deri tani nuk e ka ngritur në nivelin e një shqetësimi serioz për mungesën e mundësive ligjore për themelimin e një universiteti të mirëfilltë në gjuhën shqipe dhe kemi lejuar që politika të mburret për gjithë patriotizëm duke nënçmuar inteligjencën tonë. Prandaj, janë të kuptueshme edhe prirjet e politikanëve për t'i paraqitur universitetet tona si "ndërkombëtare", sepse thjesht - detyrimi për të studiuar jo vetëm në gjuhën shqipe, është një përcaktim i imponuar prej Ligjit, pra prej hallit e jo prej dashurisë. Në të gjitha këto raste, institucionet e shqiptarëve në nivelin e arsimit të lartë e kanë patjetër të kenë në përdorim gjuhën maqedonase, për të gjitha programet studimore pa përjashtim - edhe atë jo vetëm për një e dy lëndë, por për të minimumi tre lëndë. Në predispozita për gjuhët në të cilat mund të zhvillohen studimet në Maqedoni, Ligji për arsim të lartë është tepër i qartë. Paragrafi i parë u nenit 103 të këtij Ligji thotë "Mësimi në institucionet e arsimit të lartë realizohet në gjuhën maqedonase". Ndërkaq në paragrafin e dytë, të tretë dhe të katërt të po këtij neni, janë shënuar qartë limitet e asaj deri ku mund të shkojë e drejta e studimeve në gjuhën jomaqedonase, si dhe për çfarë qëllimi mund të realizohen ato. Domosdoshmëria për mësimin e gjuhës maqedonase në të gjitha programet studimore edhe si lëndë e veçantë - edhe si gjuhë studimi në dy lëndë të tjera, minimalisht rregullohet në mënyra taksative me paragrafin e tetë të nenit në fjalë. "Kur mësimi realizohet në gjuhët e pjesëtarëve të bashkësive që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë, në përputhje me paragrafin 2, 3, dhe 4 të këtij neni, gjuha maqedonase studiohet si lëndë e veçantë mësimore, dhe mësimi realizohet në gjuhën maqedonase për të paktën edhe dy lëndë mësimi nga programi mësimor", qëndron aty. I njëjti obligim ligjor vlen edhe për universitetet private, si dhe për ato studime që mund të organizohen në ndonjërën prej gjuhëve botërore.
Gjuha shqipe, as si term 
E drejta për shkollim sipëror në gjuhën shqipe, në universitete të karakterit publik, si në të gjitha ligjet tjera, edhe këtu shënjohet në sintagmën "gjuhën që e flasin të paktën 20 për qind e popullsisë", duke bërë kujdes që në asgjë rast mos përdoret togfjalëshi "gjuha shqipe". Konkretisht "pjesëtarët e bashkësive për arsye të shprehjes, ruajtjes dhe zhvillimit të identitetit të tyre dhe veçantive të tjera, kanë të drejtë mësimin në institucionin publik të arsimit të lartë, sipas programeve studimore dhe përmbajtjeve të përshtatshme ta realizojnë në gjuhën e bashkësisë, e ndryshme nga gjuha maqedonase, në përputhje me këtë ligj dhe me statutin e institucionit të arsimit të lartë. Financimi nga ana e shtetit do të sigurohet për arsimin e lartë edhe në gjuhën që e flasin të paktën 20 për qind e popullsisë së Republikës së Maqedonisë", qëndron në paragrafin 2. E njëjta qasje është edhe për pakicat kombëtare në Maqedoni. Paragrafi i tretë sqaron se "mësimi në institucionet pedagogjike publike të arsimit të lartë për edukatorë të edukimit parashkollor dhe për mësues të arsimit tetëvjeçar, si dhe të lëndëve didaktikemetodike për mësues të shkollave të mesme, mund të realizohet edhe në gjuhët e pjesëtarëve të bashkësive të tjera që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë". Shumë më i hapur tregohet Ligji me gjuhët botërore. Kështu për shembull, kur është fjala për studime në gjuhën angleze, e përdorë këtë term pa asnjë hezitim. Mësimi në institucionet e arsimit të lartë mund të realizohet në një nga gjuhët botërore, për disa programe studimore të caktuara për gjuhë të huaja ose për një pjesë të programeve studimore në të cilat marrin pjesë mësues - mysafirë nga jashtë shtetit dhe për programe studimore për të cilat mësimi realizohet në gjuhën maqedonase ose në gjuhën e bashkësisë së ndryshme nga gjuha maqedonase. Institucionet e arsimit të lartë mund të ofrojnë që mësimi për tërë programin studimor të realizohet paralelisht në gjuhën maqedonase dhe në një nga gjuhët botërore.
Në raste të këtilla, Ligji përcakton se "në institucionin e lartë arsimor, mësimi së paku për dy programe studimore për ciklin e parë të studimeve akademike dhe profesionale dhe së paku katër programe studimore për ciklin e dytë të studimeve akademike dhe profesionale në mënyrë të detyrueshme realizohet dhe jepet në gjuhën angleze" dhe se "në ciklin e tretë të studimeve, institucioni i lartë arsimor mund të sigurojë mësim dhe punë shkencore- hulumtuese përkatësisht dhënia dhe mbrojtja e punimit të doktoraturës duhet të realizohet në gjuhën angleze". Studimi apo themelimi i universiteteve në ndonjërën prej gjuhëve botërore dhe ku detyrimisht anglishtja do të jetë gjuhë në të paktën dy, respektivisht katër lëndë studimi - është çështje e zgjedhjes individuale dhe jo çështje e të drejtave kolektive, sikurse është rasti i studimeve dhe universiteteve në gjuhën shqipe. Për këtë arsye, shqipja dhe anglishtja në Maqedoni nuk mund të maten me standardin e njëjtë. Çështja është për të drejta të munguara të shqiptarëve sipas frymës së Marrëveshjes së Ohrit dhe për status bazuar në të drejtën e tyre historike. Të dyja këto paradigma fatkeqësisht se vinë e zvetënohen në Maqedoni. Në rastin e universiteteve, shqiptarëve u jepet jo aq sa meritojnë, por aq sa u lejojnë maqedonasit. Edhe Universiteti "Nënë Tereza" në Shkup rrezikohet të zhvillohet brenda këtyre limiteve.
Universitet shqip, nuk e lejon Ligji Universitet shqip, nuk e lejon Ligji Reviewed by Tipi on 7:57 AM Rating: 5

No comments: