Dialogu para vrasjes në Tiranë: A më njeh mua? Unë jam Ervis Martini. Qofsh me shëndet, unë jam Enton Nika

A më njeh mua? Unë jam Ervis Martini!”. “Qofsh me shëndet, unë jam Enton Nika!”. Ky është dialogu që ka shkëmbyer i pandehuri Ervis Martini me viktimën Enton Nika, pak minuta përpara se ta ekzekutonte në parkingun e një lokali luksoz në Linzë.
Ndonëse Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim të pandehurit, Emiljano Tasho, Ervis Martinaj, Bujar Hasani e Mirsad Kuçana, të dyshuar për vrasjen e Enton Nikës dhe plagosjen e Ismet Gaxherrit, nuk ka mundur dot të hedhë dritë mbi motivin e krimit të rëndë.
Të pandehurit do të përgjigjen para drejtësisë për akuzat e “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Plagosjes së lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Armëmbajtjes pa leje”.
Ndërsa mbi supet e Erjon Biraçit rëndon akuza e “Përkrahjes së autorit të krimit”. Mekanizmi i krimit është zbardhur nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë së lokalit. Por, momenti i ekzekutimit me armë i Enton Nikës nuk është regjistruar, pasi si viktima ashtu dhe ekzekutori ndodheshin jashtë fokusit të kamerave.
Dosja e plotë
Më poshtë zbardhet e plotë dosja e prokurorisë, ku hidhet dritë mbi mekanizmin e ngjarjes së rëndë. Konkretisht në dosje thuhet se: Më datë 11.11.2015, rreth orës 14:10, në vendin e quajtur Linzë, në lokalin “M…” në pronësi të Ismet Gaxherrit janë konfliktuar në ambientet e parkingut të makinave të pandehurit Ervis Martinaj, Bujar Hasani, Mirsad Kuçana dhe Emiljano Tasho me Enton Nikën e Ismet Gaxherrin.
Si pasojë e këtij konflikti të armatosur ka mbetur i vrarë Enton Nika dhe është plagosur me mjete të forta në kokë pronari i lokalit, Gaxherri. Pasi kanë realizuar krimin, autorët janë larguar me automjetin tip ‘Mercedes-Benz’ me targa AA 725 MD, i cili figuron i regjistruar në pronësi të Emiljano Ninës. Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje janë marrë vendimet e ekspertimit biologjik, balistik dhe mjekoligjor.
Nga këqyrja e këtyre pamjeve filmike të përftuara nga DVR konstatohet se në kamerën me nr. 11, e cila monitoron zonën veriore të parkimit të lokalit, vihet re në mënyrë kronologjike e shpjeguar me anë të fotove të pasqyruara sipas procesverbalit të transkriptimit të pamjeve filmike, ku konstatohet se: Në orën 13.50.17, në parking futet një automjet me ngjyrë gri me xhama të errësuar.
Aty shihet edhe automjeti tip ‘Mercedes’ me targa AA 725 MD në pronësi të Emiliano Ninës. Në orën 13.51.12 vihet re se një person zbret nga shkallët e lokalit dhe kontrollon zonën e parkingut me sy. Ora 13.51.20, një person i cili është i identifikuar si i pandehuri Emiljano Tasho kontrollon parkingun, ndërsa Mirsad Kuçana, Ervis Martinaj dhe Bujar Hasani drejtohen për tek automjeti ‘Mercedes’ me targa AA725MD.
Nga pamjet duket qartë se Ervis Martinaj ulet në sediljen e shoferit, Mirsad Kuçana ulet në vendin e parë, Bujar Hasani ulet pas shoferit, ndërsa Emiljano Tasho ulet pas pasagjerit, në sediljen e pasme. Pas këtij momenti, automjeti fillon lëvizjen përpara.
Nga pamjet duket lëvizja e Enton Nikës dhe pas tij Ismet Gaxherrit. Gjithashtu vihet re se automjeti me targa AA725MD ndalon, dhe drejtuesi i automjetit, që është i pandehuri Ervis Martinaj, hap derën dhe zbret nga automjeti dhe vihet re se bisedon me Enton Nikën dhe Ismet Gaxherrin. Pas tij dalin edhe personat e tjerë që ishin brenda në automjet.
Në këtë moment, i pandehuri Ervis Martinaj shtyn Enton Nikën duke e çuar në afërsi të murit të shkallëve të lokalit. Në këtë moment, personat e tjerë afrohen duke i rrethuar. Në vijim, Martinaj i vë dorën në qafë Enton Nikës, ndërsa i pandehuri Kuçana i drejton dorën Ismet Gaxherrit. I pandehuri Mirsad Kuçana godet me grusht në fytyrë Enton Nikën.
Ismet Gaxherri tenton t’i ndajë, por Emiljano Tasho dhe Bujar Hasani nxjerrin dhe mbajnë në duart e djathta respektive objekte të ngjashme me armë zjarri pistoletë. Konflikti vijon midis këtyre personave, ku Emiljano Tasho godet me qytën e pistoletës Ismet Gaxherrin. Gjithashtu vihet re se të pandehurit Ervis Martinaj, Mirsad Kuçana dhe Bujar Hasani po godasin Enton Nikën me grushte e shkelma. Nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë dallohet qartë që i pandehuri Bujar Hasani mban një pistoletë në dorë, me të cilën godet Enton Nikën.
I pandehuri Emiljano Tasho dhe Bujar Hasani mbajnë armët në duar ndërsa i pandehuri Ervis Martinaj vazhdon të godasë me grushte Nikën. Të pandehurit Ervis Martinaj, Bujar Hasani dhe Emiljano Tasho shtyjnë drejt murit Enton Nikën, i cili del nga objektivi i kamerës. Pas tij shkon i pandehuri Emiljano Tasho, ndërsa i pandehuri Bujar Hasani qëndron pa lëvizur.
I pandehuri Bujar Hasani tkurr supet dhe ul paksa kokën. Pas këtij momenti, të pandehurit Bujar Hasani dhe Emiljano Tasho largohen në drejtim të automjetit me targa AA725MD, ku i pandehuri Bujar Hasani ulet pas shoferit, ndërsa i pandehuri Mirsad Kuçana ulet në sediljen e shoferit.
Në këtë moment vihet re i pandehuri Ervis Martinaj, i cili po komunikon me Ismet Gaxherrin që është i ulur përtokë. Në këto momente Emiljano Tasho kthehet sërish dhe pas disa momentesh largohet në drejtim të portës së rrethimit.
I pandehuri Ervis Martinaj komunikon shumë pak me Lulzim Gaxherrin, i cili sapo ka dalë nga automjeti i tij dhe është afruar në drejtim të vendit të ngjarjes. Në këtë moment Emiljano Tasho tenton të afrohet drejt vendngjarjes, por i pandehuri Martinaj i bën shenjë me dorë të largohet. I pandehuri Ervis Martinaj largohet duke u futur në automjetin me targa AA725MD, dhe më pas ky automjet largohet në anën e majtë.
Dëshmia e Gaxherrit
Ismet Gaxherri është shprehur se ditën e ngjarjes, nuk ka komunikuar fare me të pandehurin Ervis Martinaj. Madje me këtë person ai kishte afro 1 vit e gjysmë që nuk kishte pasur kontakte telefonike, pasi i ka pasur një shumë parash borxh, të cilat ia ka shlyer, dhe që atëherë nuk ka pasur asnjë lloj kontakti me të.
Ai tregon se atë ditë, Martinaj, së bashku me tre persona të tjerë, ka ardhur dhe është ulur në verandën e jashtme të lokalit, diku rreth 10 metra larg tavolinës ku ka qenë ulur ai së bashku me Enton Nikën me vëllanë e tij dhe një shok tjetër. Kur kanë hyrë në lokal, ai i ka parë dhe ata kanë parë dhe nuk kanë folur dhe as janë përshëndetur fare. Më pas ai me Entonin janë çuar (pas 5 minutash) dhe kanë shkuar te ‘Brryli’, ku kanë takuar një shokun e tyre.
Ai ka shpjeguar se me të pandehurin Ervis Martinaj nuk ka pasur lidhje të ngushta shoqërore, por para disa kohësh ai i ka marrë një shumë parash borxh, pasi ka hapur një lokal në Linzë. Këtë shumë parash ia ka shlyer pas dy vitesh dhe aktualisht nuk ka asnjë borxh këtij shtetasi.
Lidhur me faktin se çfarë i ka thënë Ervis Martinaj atij dhe viktimës Enton Nika në momentin e konfliktit si dhe cili ka qenë shkaku i këtij konflikti, ai ka deklaruar se në momentin kur ai me Entonin janë afruar te parkimi, kanë dalë nga makina dhe janë drejtuar për nga lokali, ku kanë hasur të pandehurin Ervis me tre personat e tjerë.
Ai i ka folur “Viso, ç’kemi”, dhe ai i është drejtuar se “nuk kam punë me ty”, dhe ka thirrur Entonin duke i thënë “o çuni, hajde një sekondë”, dhe i ka hedhur dorën në qafë duke i thënë: “A më njeh mua? Unë jam Ervis Martini” dhe Entoni i ka thënë “Qofsh me shëndet, unë jam Enton Nika”.
Ervisi ka sharë nga familja Entonin dhe më pas Mirsad Kuçana e ka goditur me grusht Entonin, ku dhe më pas e vranë. Ai shpjegon se në konflikt ka parë që Mirsadi ka qëlluar me grusht dhe personi që është arrestuar për ngjarjen, që quhet Emiljano Tasho, ka pasur pistoletë, ndërsa personi tjetër me xhup jeshil ka nxjerrë nga çanta një pistoletë me ngjyrë të zezë dhe ia ka dhënë në dorë Mirsadit, ku dhe vetë ky person kishte në dorë një pistoletë.
Shkakun pse ka ndodhur ky konflikt ai nuk e di.
Dialogu para vrasjes në Tiranë: A më njeh mua? Unë jam Ervis Martini. Qofsh me shëndet, unë jam Enton Nika Dialogu para vrasjes në Tiranë: A më njeh mua? Unë jam Ervis Martini. Qofsh me shëndet, unë jam Enton Nika Reviewed by Tipi on 1:28 AM Rating: 5

No comments: