Inis Gjoni: Rikthehem me terapinë time për çiftet në krizë

Regjisorja rrëfehet për teatrin, jetën personale si mami ‘single’. Sa e plotësuar ndihet në jetën e saj Inis Gjoni dhe të tjera kuriozitete nga bota shpirtërore e artistes me 30 vite karrierë.
Artistja flet për sekretet e bukurisë, dietën e personalizuar që e mban në formë dhe terapinë e saj për një gjendje shpirtërore shumë të mirë.
Ajo që na bën përshtypje kur shfaqesh në ekran është se dukesh gjithmonë e bukur dhe e freskët…
Trupi ka qenë një pjesë shumë e rëndësishme e imja, që në asnjë moment nuk e kam lënë pas dore. Jo vetëm nga ana profesionale si balerinë, por e kisha të qartë që duke mbajtur trupin në formë jam e shëndetshme, ndaj e kam kontrolluar ushqimin në çdo kohë. Me lindjen e vajzës mora disa kile, por erdha shpejt në formë. Kjo pasi unë e di mirë çfarë më bën mirë e çfarë më bën dëm, duke krijuar një dietë për veten time, pa shkuar tek në asnjë dietolog.
1
Për një gjendje të mirë shpirtërore çfarë bën?
Terapia ime më e mirë është kur lexoj vepra të ndryshme. Më pyesin miqtë dhe habiten, që nuk lexoj romane, pasi lexoj vetëm drama dhe më tërheqin shumë.
E ke dëshmuar në disa raste me veprat e tua se je feministe. Cilët qëndrojnë më lart sipas teje: burrat apo gratë?
Vetë evoluimi i femrës ka bërë që meshkujt të ndihen inferior, pasi femrat mund t’ia dalin si mami ‘single’, janë më tepër të shkolluara, kanë mençuri, aftësi për të thithur informacion, pra nuk janë të cekëta. Femra del më lart dhe në fund dalim në konkluzionin se meshkujt janë ata që hedhin botën në erë, ndërsa femrat janë gjithmonë të kujdesshmet.
Me kalimin e viteve ke arritur të kuptosh diçka më shumë në lidhje me faktin se si funksionojnë meshkujt?
Në momentin e parë që e kam lexuar monologun në fjalë kuptova diçka që s’e kisha kuptuar më parë në raport me meshkujt. Është e rëndësishme të kuptojmë njëri-tjetrin, pozitat, aftësitë dhe mundësitë e partnerit, e për më tepër të kuptojmë kulturën e njeriut që kemi në krah.
Meshkujt dhe femrat janë totalisht të kundërt nga njëri-tjetri? Çfarë i bashkon, pasioni apo interesi?
Po, patjetër që kanë botëkuptime krejt të ndryshme. Madje sot, femra nuk e ka atë vlerësimin ndaj meshkujve që e ka pasur më parë.
Ju po punoni këto ditë për vënien në skenë të hitit botëror “Mbroni shpellarin”, të aktorit dhe regjisorit Rob Beiker. Ç’është kjo vepër me këtë titull që të tërhoqi vëmendjen si regjisore, ndërkohë që jetojmë në kohën e teknologjisë së avancuar?
Rashë në dashuri me shikim të parë me këtë vepër, dhe e lexova me një frymë. Rob Beiker është aktor dhe regjisor, e autori i mono-komedisë “Mbroni Shpellarin”. Për të shkruar këtë vepër atij i janë dashur 3 vjet, por edhe të studiojë antropologji, mitologji, parahistori e psikologji. Është vënë për herë të parë në skenë në vitin 1991, dhe që nga vënia e parë ka njohur një sukses të jashtëzakonshëm në botë. E pasi është më jetëgjata në historinë e Broduej pasi vetë Rob Beiker e ka luajtur për 700 net me radhë. Është përkthyer në gjuhë të ndryshme dhe është luajtur në më tepër se 50 shtete e aktualisht luhet në shumë vende paralelisht. ”Mbroni shpellarin“ është bërë tashmë një hit botëror, e përkthyer në shqip nga Artur Lenja, i cili përkthen vetëm vepra të bukura.
3
Jetojmë në kohë moderne, cila është përgjigja që na jep për problemet në çift?
Flet për betejën e vazhdueshme të keqkuptimit midis burrit dhe gruas, dhe tenton e përpiqet të zgjidhë luftën mes gjinive. Trajton klishenë, rrëmujën dhe lidhjen e kohëve moderne. Drama në pamje të parë menaxhohet duke sjellë këndvështrimin mashkullor, rreziqet e të qenit mashkull, burrë dhe bashkëshort në ditët e sotme.
Cila është pyetja që i bëjnë femrat vetes në lidhje me gjininë tjetër, dhe cila është përgjigjja që mund të marrin nga kjo shfaqje?
Pyetja që i bëjmë vetes është: “Pse meshkujt bëjnë ato që bëjnë?” në raport me kërkesat dhe pretendimet e kundërta që femrat kanë karshi burrave tyre. Në të njëjtën kohë me shumë dashamirësi ngrihen dhe pikëpamjet e femrave, një paralelizëm analitik që përçon gjithë veprën në përpjekje të meshkujve për të gjetur e kërkuar mirëkuptimin. Vepra në plan të parë trajton “vuajtjet e meshkujve” sot, pasi po dominohen nga femrat dhe kërkesat e tyre.
Pse vuajnë meshkujt? Deri tani është folur ndryshe për ta?
Janë femrat ato që mendojnë se meshkujt, në ndryshim prej tyre, s’kanë ndjenja, duke i bërë kështu meshkujt të ndihen -seks i dobët”. Ajo që është shumë interesante ndër shumë të tjera është ndërgjegjësimi i meshkujve për pozicionin e tyre të ri në shoqëri, duke e ndier tashmë veten si “seksi i dobët”, ndaj dhe kjo vepër është një thirrje mashkullore për bashkëpunim.
Dhe si është e vërteta, a kanë meshkujt ndjenja?
Beiker e përshkruan dramën si një mjet për të treguar se dhe burrat kanë ndjenja, vetëm se ata i shprehin ndryshe. Me një monolog te mprehtë na tregohet si duhet të gjejmë mënyrën që të bashkohemi, dhe të jemi të lumtur me njëri-tjetrin.
Pra, ke arritur të bësh një udhëtimin në botën shpirtërore dhe atë psikologjike të burrit? Ka qenë udhëtim i gjatë dhe i mërzitshëm, apo i këndshëm dhe argëtues?
Që në momentet e para të monologut autori e drejton spektatorin në një udhëtim rreth jetës së një çifti modern; ku flet se si gruaja në thelb ka bërë gjithçka në historinë e saj për të pasur vëmendje dhe bashkëpunim absolut me bashkëshortin. Ndërsa sot bën gjithçka që mundet të mos e “mbysë” burrin që ka në krah, ku në këndvështrimin e grave për to sjellja e tyre portretizohet si krijesa me mendje të vogël, me një lidhje shumë të afërt me njeriun e shpellave. Gjuha që autori ka zgjedhur është arma e fundit e meshkujve ndaj lëvizjes feministe.
Ke vendosur t’i bësh çiftet të thellohen në dëshpërimin e tyre, apo kjo është një terapi për te zgjidhur dilemat?
Është më e mirë se çdo marrëdhënie këshillimi, është një terapi në çift. Në këtë shfaqje mund të qeshësh dhe të qash njëkohësisht. Trajton gjithçka të rëndomtë dhe të parëndësishme që ne bëjmë çdo ditë, nga punët e zakonshme e deri tek bisedat për shtrat dhe vetë shtratin.
Edhe në këtë rast do të vërtetohet se sa të ndryshme janë femrat nga meshkujt, pra që i ndan një hendek i madh?
Ndryshimi është i vogël, por që bën diferencë të madhe. Këto ndryshime që gjenden midis gjinive, prirja e meshkujve për të qenë “gjahtarë” është e prekshme edhe sot, në punë, në biznes, në familje e në shoqëri, pra në të gjitha aspektet e jetës. Të gjitha këto dallime të brendshme na tregojnë se sa të ndryshme janë botët tona emocionale midis gjinive, ku si dhe femra parahistorike dhe ajo moderne vazhdojnë të kenë etje për siguri. Jam shumë e qartë që kjo shfaqje do të jetë si të shpëtojmë martesat.
4
Pra tashmë rolet kanë ndryshuar dhe femrat pothuaj janë shndërruar në “seksi i fortë”?
Në fakt, u deshën të vinin vitet (90 që meshkujt të kuptonin se ndryshimi ishte faktik dhe i pakthyeshëm i femrës drejt kërkesave të saj.
Po fitimprurës është teatri për ty, duke pasur parasysh që gjithmonë biletat shiten në kohë rekord?
Kur sjell veprat e duhura, publiku vjen dhe të ndjek. dhe ky është jo vetëm tregues ekonomik, por edhe kënaqësi profesionale. Prandaj është bukur të punosh në teatër.
Do të të shohim ndonjëherë si aktore?
Kam shumë oferta, por të them të drejtën nuk më tundon as ekrani dhe as të luajturit në skenë. E shijoj pa fund kur jam pas kuintave, sepse nuk ndiej lodhje dhe energjia më duket sikur buron nga vetja ime.
Cila është e përditshmja jote?
E përditshmja ime vërtitet rreth teatrit dhe sigurisht që vajza merr kohe të mjaftueshme.
Të ngjan vajza, do ta orientosh dhe atë drejt artit?
Absolutisht që më ngjan shumë. Por është herët për ta orientuar pasi është vetëm 4 vjeçe. Deri tani ia lexoj ne heshtje dhe ne distance lëvizjet, dëshirat pa e imponuar.
5
Çfarë këshille do t’i japësh vajzës kur të rritet?
Nuk kam menduar t’i jap ndonjë këshillë, pasi jeta do të jetë plot këshilla dhe jo me moral për të. Të plotësojë vetveten larg kompromiseve dhe të bëjë gjithmonë gjërat që do në jetë.
Me kalimin e viteve ke nxjerrë një konkluzion për atë që quhet “gjysma jonë” e që na bën të ndihemi të plotësuar?
Në jetë janë gjërat që duhet dhe ato që duam. Lum ai që ka fat në jetë të bëjë gjërat që do! Duke bërë gjërat që do, ushqehesh brenda vetes e nuk kthehesh në zvarranik, pavarësisht çfarë ndodh në jetë, pasi ndihesh e plotësuar. Ndaj unë gjysmën time e kam me vete gjithë kohës në konceptin filozofik.
Çfarë të plotëson tani në jetë?
Gjithmonë më kanë plotësuar dashuritë e vërteta, të cilat gjenden në gjëra që janë të tuat, që burojnë nga ty. Është një dashuri pa kushte ajo në raport edhe me familjen, edhe me vajzën time, edhe dashuria për profesionin.
Kalimi i viteve i step të gjithë, ty të tremb plakja?
Po, është një proces i pashmangshëm që femrat s’duhet ta përjetojnë si diçka të frikshme. Thjesht duhet ta kuptojmë si diçka që do të ndodhë. Siç jam unë e re sot, ka qenë Sofia Loren shumë vite më parë, po unë s’mund ta paragjykoj pasi ajo e ka kryer ciklin e saj. Unë e shijoj si një proces jete shumë organike. Nuk më shqetëson aspak.
Jeta për ty është luftë, apo si një film i bukur?
E di si është puna, kam përshtypjen që jeta është një proces dhe lum ai që di ta jetojë në të mirë apo në të keq, pra të përjetojë momente magjike, pavarësisht se kjo mund të ketë kosto. E rëndësishme është të jemi në paqe me veten.
Bukuria është vrasëse, apo shpëtuese? Ti, si e ke ndjerë?
I ka të dyja anët e medaljes. Njëherë e një kohë ishte vrasëse dhe paragjykuese, dhe kjo vinte për shumë arsye: nga nivelin i ulët, mënyra e të menduarit, xhelozia, etj. Unë për veten time nuk e kam vlerësuar bukurinë time, sepse të hysh në një shkollë profesionale nuk ke kohë të merresh më bukurinë, pasi ke një qëllim që do ta arrish, pavarësisht se të tjerët ta evidentojnë. Aq më tepër në kohën kur kam jetuar, raporti me profesionin ishte shumë shenjtë, dhe gjërat nuk vinin nga bukuria, por nga puna, talenti e puna. Pas hapjes së sistemit, bukuria binte në sy, në disa raste ishte privilegj, por në disa punë të miat ishte minus. Më është dashur të punoj dyfishin për të merituar fjalën “e bukur”, pasi kishte gjithmonë skonto vlerësimi me 50 për qind. Shpejt e kuptova që nuk është diçka për të mos u vënë re, pasi të gjithë njerëzit mundohemi të dukemi bukur.
2
Dieta e personalizuar e Inis Gjonit
Mëngjes
Vezë të zier, bukë të thekur, domate, kastravec, etj
Një lugë mjaltë e një lugë vaj ulliri
Një gotë lëng përzierje karotë, panxhar, mollë.
Dreka
Pulë, peshk, sallatë e bollshme, bukë thekre ose integrale
Mishi i kuq dy herë në javë.
Darka
Fruta. Në mes të vakteve Kornfleksa dhe sallatë të bollshme me vaj ulliri
Ushqimet që hoqa dorë
Mishi i kuq dhe buka
Produktet e bulmetit
Nuk i preferoj, i konsumoj shumë pak
Inis Gjoni: Rikthehem me terapinë time për çiftet në krizë Inis Gjoni: Rikthehem me terapinë time për çiftet në krizë Reviewed by Tipi on 1:12 AM Rating: 5

No comments: